Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se me kërkesë të partisë së tij, do të ketë një debat parlamentar për dy vitet e Qeverisë Kurti.
E nga punët që Qeveria ka bërë, Tahiri ka përmendur një urë në Istog, duke thënë se pos asaj nuk ka investim tjetër në dy vjetët e fundit.
“Nëse më pyet dikush cili është suksesi i Qeverisë Kurti në 2 vjet, besoni nuk di çka them. Nuk e di një rrugë, përveç një ure në Istog, në fshatin e deputetit Bekë Berisha, nja 2-3 metra që është, nuk di asnjë investim kapital, asnjë fabrikë, asnjë punë. Me kërkesë të AAK-së u miratua që në 2-vjetorin e qeverisë Kurti të ketë debat parlamentar për punën e Qeverisë. Për ne brenga kryesore është gjendja sociale, ekonomike, papunësia dhe humbja e shpresës dhe ikja e rinisë. Për dy vjet ka pasur fjalë, premtime, zotime, por nuk ka pasur asnjë veprim të mirëfilltë të këtij vendi”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se as Ligji për Paga nuk u ka krijuar kushte punëtorëve të administratës shtetërore, as paga minimale në sektorin privat nuk është askund dhe se reforma në sektorin social, ndihma për pensionistë “nuk kanë ndodhur dhe nuk ka ndodhur asgjë tjetër”.
“Dëshirojmë që përmes Kuvendit ta ballafaqojmë Qeverinë Kurti, sepse po ikë kah dialogu, po diskuton për marrëveshjen, dhe e ka lënë jetim qytetarin e Kosovës në ballafaqimin me çmimet e larta, ngritjen e shportës, ngritjen e shpenzimeve, tatimeve në pronë. Kemi propozuar rezolutë 10-pikëshe që besoj se do të merret parasysh që të fokusohet kjo Qeveri”, ka deklaruar Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.