Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiti, ka akuzuar pushtetin aktual se po tenton ta ndalë fjalën e lirë.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti një gjë të tillë po mundohet ta bëj edhe me RTK-në.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti.
Sipas tij, pas kësaj date, edhe RTK-së do t`i kthehet fisnikëria në misionin e vet si transmetues publik.
“Një RTK që do të duhej të ishte në funksion të publikut dhe fjalës së lirë, na i mbylli dyert dhe transmetimin pikërisht nga frika e pushtetit. Si akt, ka ndodhur pardje. Si metodë, ka ndodhur që prej ditës së parë të qeverisjes së Vetëvendosjes. Si tendencë, po ndodhë edhe sot dhe synon të vazhdojë edhe më tej, derisa të fusë nën kthetra çdo forum ku flitet hapur dhe kritikohet arsyeshëm. Por fjalën e lirë nuk do të mund ta mbysin. Pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti, e RTK-së, fisnikëria në misionin e vet si transmetues publik”, ka shkruar Tahiri.