Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka quajtur sekser të kryeministrit Albin Kurti, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Duke i quajtur skandaloze dyshimet për përfshirjen e ambasadorit Berishaj në një skandal financiar në blerjen e energjisë në Slloveni, Tahiri tha se është e domosdoshme formimi i komisionit hetimor për energjinë për të parë sa milionë euro i ka fituar kompania GEN nga buxheti i Kosovës në blerjen e energjisë.
“Del në pah se kjo kompani (GEN) gjatë periudhës dyvjeçare kur është vendosur një menaxhimet i ri nga Qeveria Kurti I dhe II kanë bashkëpunuar me këto kompani dhe kjo kompani, GEN, dega e saj në Serbi i ka shitur Kosovës energji elektrike dhe po ashtu ka blerë energji elektrike nga Kosova. Kjo është jashtëzakonisht skandaloze, pra ambasadori ynë shërben si një sekser i kryeministrit tonë mes tij dhe mafies serbe energjetike”, tha ai.
Në një konferencë për medie, ai tha se afera korruptive tregon se prapa bllokimit të komisionit hetimor është një ndërmarrje kriminale.
“Zbulimi i kësaj aferës mbrëmë në orët e vona dhe kur çdo orë po dalin dokumente të reja nga kjo aferë e bënë të domosdoshëm themelimin e komisionit hetimor. Ne duam me pa se sa për qind e këtyre mjeteve të ndara nga buxheti i Kosovës, taksa të Kosovës mbi 100 milionë euro ka përfituar kompania GEN me bazë në Serbi me të cilin ambasadori ynë shërben si këshilltar. A ka ndodhur që këto mjete të kthehen prapa në forma të ndryshme përmes kompanive që kanë ra në duart e njerëzve të pushtetit të Republikës së Kosovës. Ne shohim se bllokimi i komisionit hetimor qenka një ndërmarrje e madhe kriminale prapa këtij kundërshtimi”, shtoi ai.
Ai tha se do të jenë këmbëngulës në formimin e komisionit hetimor në seancën e javës së ardhshme. Andaj i bëri thirrje edhe mazhorancës që ta përkrahë të njëjtën.