Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur të papranueshme që Dejona Mihali, zyrtare partiake e Lëvizjes Vetëvendosje të ketë ndikim dhe kontroll në secilën ministri dhe ndërmarrje publike.
Sipas tij, strukturat joformale që s’kanë asnjë funksion publik nuk duhet me pas asnjë rol në Qeverinë e Kosovës.
“Struktura joformale të cilat nuk kanë asnjë rol në Qeverinë e Kosovës, s’kanë funksione publike, sot vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës. A kuptoni se përmes një pazari, negocimi mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike. A kuptoni se të gjitha veprimet e njëpasnjëshme që ne i kemi diskutuar këtu dhe po diskutohen në diskursin publik janë duke shpërfaq dy konkluzione. Kjo qeveri ka ardh në pushtet me mashtrim. Para katër viteve ka dhënë platformë politike vetëm për me marrë besimin dhe atë mos me kthy në të mirën e shtetit por në të mirë partiake që s’kanë funksione sikurse është koordinatorja e LVV-së (Dejona Mihali)…Kosova ka ardh në një stad kur diskutohen në struktura joformale se kur duhet me u ndal rryma dhe kur duhet me u leshu rryma. S’ka logjik se një institucion partiak me pas ndikim me dhënë udhëzime politike dhe programore në Kuvend. Është e papranueshme se para-politika me pas kontroll në secilin ministër dhe ndërmarrje publike”, tha ai.
Tahiri në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, tha se partia në pushtet, LVV-ja është në faj, prandaj po ikë nga ballafaqimi në Kuvend.
“Cila ka qenë mënyra dhe baza e shlyerjes së borxheve. Duhet të jetë e saktë se në çfarë baze është vendosur se për kompani të caktuara është konstatuar borxhi i grumbulluar dhe pastaj të njëjtat kanë pranuar vendime me vlera financiare. Po flasim për vlera milionëshe. Në jemi në dy muajt e fundit të këtij kuvendi. Edhe fëmija në djep e dinë se kur ikë dikush, ikë për shkak se është në faj. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë janë në faj se s’kanë qysh me mbrojt një skandal korruptiv që shihet se është bardh e zi”, shtoi ai.