UBT News

Tahiri-Kurtit: Pse po dilni nga parimet, e harruat mini-shengenin shqiptar

Edhe njëherë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pyeti kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se kush janë kriminelët e luftës në Kosovë e që duhet të largohen nga institucionet e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit të Kosovës pyeti Kurtin edhe se pse nuk kishte guximin që t’ia thoshte Ana Bërnabiqit, se Serbia duhet të çlirohet nga kriminelët dhe ata kriminelët duhet të vendosen para drejtësisë për krimet në Bosnjë e në Kosovë.

“Pse nuk patet guxim zoti kryeministër që t’i drejtoheni zonjës Bërnabiq dhe të kërkoni nga ajo që Republika e Serbisë duhet të çlirohen nga kriminelë dhe ata kriminelë duhet të vendosen para drejtësisë që kanë kryer krime në Bosnje e në Kosovë, mirëpo e zgjeruat hartën dhe në kuadër të këtyre krimeve e vendoset edhe Republikën e Kosovës dhe Maqedonisë?” tha Tahiri.

Ai gjithashtu ju drejtua Kurtit, duke e pyetur se kush janë kriminelët e luftës.
“Kush janë kriminelët e luftës në Republikën e Kosovës që duhet të largohen nga institucionet? Pse nuk patet guximin me kërku një gjë të tillë nga Serbia por e futet edhe Kosovën në një hartë të tillë? Ne e dimë gjenocidin që ka kryer Serbia dhe regjimi i Millosheviqit pjesë e të cilës ka qenë edhe presidenti serb, që ju nuk po keni guximin me ia thënë por në këtë rast po e futni edhe vendin tonë, edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranët pjesë të kësaj harte që kanë kryer krime.” theksoi ai./UBTNews

Exit mobile version