Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Tahiri gjithashtu akuzoi kreun e Qeverisë për rrënim të pozitës së Kosovës në dialog, pasi sipas tij Draft Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe përmban kompetenca ekzekutive.
“Kurti duhet t’i përgjigjet qytetarëve se pse është lejuar largimi i Radojçiqit nga Kosova, kur në kohë reale është parë prezenca e tij në sulmin e 24 shtatorit në veri. Pse është lejuar largimi i tij? Ai është i dyshuar për vepra penale dhe është e turpshme që ai u la të ikte. Kjo është një përgjigje që Kurti duhet ta japë”, tha ai.
“Në tavolinë e kemi një draft të dëmshëm. Ky angazhim i Kurtit në dialog ka sjellë një pushtet paralel sepse për herë të parë po flasim për kompetenca ekzekutive. Po zbatohet neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit. Në përmbajtje kjo një vetëqeverisje për serbët”, theksoi Tahiri.
Ai gjithashtu foli edhe për dërgimin në Kushtetuese të presidentes Vjosa Osmani nga partitë opozitare për mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit.
Tahiri theksoi se LDK nuk ka qenë e gatshme që Osmanin ta dërgojnë në Kushtetuese, dhe se sipas tij ajo po shpëton nga shkelja që ka bërë.
“Për rastin Osmani kemi pas dakordim të punojmë së bashku. Kemi dështuar ta dërgojmë atë në Kushtetuese. PDK dhe AAL kanë qenë të gatshme, por jo edhe LDK. Ajo po shpëton nga shkelja që ka bërë”, përfundoi Tahiri.