UBT News

​Tahiri: Kurti si monark, po flet të pavërteta

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se e shohin shumë të rëndësishëm raportimin e kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit që do të mbahet të premten.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke folur për mungesë të transparencës për dokumentin e pranuar të enjten në Bruksel nga Kurti, Tahiri para mediave tha se është e papranueshme “një sjellje e kryeministrit, si me qenë monark”.

“Është e papranueshme një sjellje si me qenë monark kryeministri. Ne jetojmë në demokraci parlamentare, jo një mbretëri. Prandaj, ky raportim është i domosdoshëm për të dhënë llogari në Kuvend. Është e pafalshme nëse veprimet dhe qasja në Bruksel mund ta dëmtojë vendin dhe kjo të mos diskutohet në Kuvendin e Kosovës… Ne nuk kemi marrë asnjë draft, asnjë dokument se çka nënkupton plani evropian. Sa i përket Asociacionit, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vijat e kuqe, duhet ta dijë çdo kush që përtej atij vendimi nuk mund të dalë askush. Nëse i prek këto vija të kuqe, në asnjë moment nuk do të ketë mbështetjen e Aleancës”, tha Tahiri.

Deputeti i AAK-së foli edhe sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat partia e tij dhe PDK-ja nuk po i votojnë.

“LVV dhe Kurti, në mungesë të rezultateve të punës në teren, iu kanë kthyer opozitës dhe po i thonë ‘s’po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare’. Ne i kemi votu, i kemi votu 830 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare. Z. Kurti po flet të pavërteta, 1 vjet e një muaj nuk ka votuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare, bashkë me LDK-në kur ne kemi qenë në pushtet, tek në një seancë të fundit e ka votuar një. Aleanca duhet ta trajtojë këtë temë sepse LVV po e mbush makinerinë e vet për me e ofendu opozitën në Facebook, me këtë temë. Aleanca duhet ta diskutojë këtë”, tha Tahiri.

Ai përsëriti edhe njëherë kërkesën e AAK-së për rritje të koeficientit të pagave dhe pagën minimale.

Exit mobile version