Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka quajtur të dështuar qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit Albin Kurti.
Ai gjatë debatit parlamentar për katër vjet qeverisje tha se Kurti po e përfundon mandatin pa asnjë projekt zhvillimor, derisa fjalimin e tij e kualifikoi si prezantim që duhej bërë në nivel ministri apo sekretari.
“Kur e dëgjon Adnanin duke folur, thua a është ky në të njëjtin Grup parlamentar me Fitoren që ia jep 100 mijë euro vëllait dhe 100 mijë euro dajës. Po ashtu thua a është bashkë me këtë ministër të Mbrojtjes që e len ushtrinë pa bukë për shkak të kontratave të korruptuara dhe merr kërcënim nga komandanti i ushtrisë së Kosovës. Kur e sheh Adnanin duke folur për korrupsion thua a është bashkë në parti me Librunin që i ka falur mbi 10 milionë euro të dokumentuara oligarkëve në Kosovë. Për besë, pavarësisht se përgatitesh me fol diçka tjetër, këta të shtinë me shku te krimi i tyre…[Kryeministrin] e pamë më shumë si prezantues të statistika të prokurorisë dhe gjykatave dhe të ministrive. Por nuk e pamë si një kryeministër i cili po e lë Kosovën më mirë pas katër vjet qeverisje. Po e lë Kosovën pa asnjë projekt të tillë”, tha ai.
Ai tha se Kosova gjendet për herë të parë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se si pasojë e kësaj, Kosova ka mbetur pa përfituar asnjë fond të para anëtarësimit në BE.
“Vendin tonë po e lënë nën sanksione. Republika e Kosovës, përjashtimisht kontratat që i kanë nënshkruar ne BE-në para qershorit të vitit 2023. Prej qershorit të vitit 2023, BE-ja në Kosovë paguan paga vetëm për punëtorët e tyre. Përderisa Shqipërisë i janë ndarë 900 milionë euro deri në vitin 2025, fonde të para anëtarësimit, ne nga qershori i vitit 2023 e deri sot që po flasim të vetmen mjete që BE-ja i shpenzon në Kosovë janë pagat e stafit. Asgjë tjetër. Këtu e ka sjell subjektivitetin ndërkombëtarë kryeministri jonë. Më e dhimbshme se kjo është raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
Në anën tjetër, ai theksoi se politika e jashtme ka dështuar nën qeverisjen e Kurtit.
Krahas kësaj, ai tha se kreu qeveritar ka rrezikuar edhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Tash e dy vjet kur kemi një stagnim të këtij bashkëpunimi dhe kur kemi një relacion të dëmtuar me ShBA-në, ne kemi mbërritur në një situatë kur s’kemi as anëtarësime në organizata ndërkombëtare. S’po flas për shoqata, pasi ato që i tha kryeministri, s’kisha dashur t’i dëgjojë prej gojës së një kryeministri. S’je anëtarësuar në Interpol, UNESCO dhe të tjera”, shtoi ai.
Tahiri po ashtu përmendi edhe migrimin e qytetarëve që sipas tij ka ndodhur më së shumti gjatë qeverisjes Kurti.
“Për tri vite radhazi nga 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën…Fotografia më e dhimbshme që ka krijuar kjo qeverisje, e që nuk e kisha dashur asnjëherë është migrimi i qytetarëve tanë. Për këtë kryeministri Kurti nuk foli në asnjë moment…Fatkeqësisht, Kosova gjatë këtyre katër viteve është zvogëluar në popullsinë e saj”, përfundoi Kurti.