Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se tashmë është e qartë se kryeterorristi Milan Radojiçiq së bashku me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes shefes së këtij grupi e kanë përcaktuar pagën minimale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi po udhëhiqet nga një spiun i Serbisë, duke iu referuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Tahiri derisa ka akuzuar Kusari-Lila, se ka gënjyer për rolin e PDK-së në votimin e ligjit për pagën minimale me Listën Serbe, ka thënë se po ashtu e kanë përcaktuar që veteranët e UÇK-së, nënat e dëshmorëve, fëmijët e dëshmorëve të përjashtohen nga paga minimale.
“Sot po ju drejtohem nga i njëjti vend ku para dy viteve kryetarja e GP-së të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila gënjen dhe dezinformon pa fije turpi se Grupi Parlamentar i PDK-së paska qenë ai që e ka shtyrë Listën Serbe për të votuar në Kuvend ligjin për pagën minimale. Tashmë është e qartë, kryeterorristi Milan Radoiçiq së bashku me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes shefes së këtij grupi e kanë përcaktuar pagën minimale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Po ashtu, e kanë përcaktuar që veteranët e UÇK-së, nënat e dëshmorëve, fëmijët e dëshmorëve të përjashtohen nga paga minimale”, tha ai.
Mes tjerash, ai ka përmendur përpjekjen e Radoiçiqit për të pasur një kandidat nga radhët e Gjykatës Kushtetuese dhe për përpjekjet për të bllokuar emërimin e Vigan Qorollit si zv.ministër i Drejtësisë.
“Milan Radoiçiq kishte edhe kandidat nga radhët e shqiptareve për Gjykatën Kushtetuese. Pra, kishin një koordinim me LVV-në dhe kishin kandidatin e tyre për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Fatmirësisht me disa deputetë të VV dhe të Listës Guxo e kemi parandaluar që të shkojë në Gjykatën Kushtetuese….Dhe a e dini se ku shërben i njëjti, si zv. Ministër i Drejtësisë….Fatmirësisht Vigan Qorolli nuk arrin të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka shtuar Tahiri.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi po udhëhiqet nga një spiun i Serbisë, duke iu referuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
“Dy të vërteta veç dihen, njëra se në Parlamentin e Kosovës, Vetëvendosje dhe Lista Serbe kanë votuar bashkë ligjin për pagën minimale, pra kanë bashkuar votën, mos t’i përfshinë veteranët e UÇK-së. Po ashtu një e vërtetë tjetër është se për këtë votë shefja e GP-së të LVV-së, të kryeministrit spiun të Serbisë e ka bashkuar votën dhe e ka bërë bisedë prapa shpinës të Kosovës, fshehtë. Këto të vërteta shpjegojnë të vërtetën e Kosovës që udhëhiqet prej një spiuni të Serbisë, që është Albin Kurti…Kurrë nuk ka ndodhë shqiptar të bashkojnë votën me Listën Serbe kundër UÇK-së”, tha Haradinaj.