UBT News

Tahiri kritikon Qeverinë në tri çështje sa i përket dialogut

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka shkruar në Facebook tri çështjet rreth dialogut Kosovë-Serbi që duhet të diskutohen në Kuvend. Ai tha se kryetari Ramush Haradinaj e elaboroi mirë qëndrimin e subjektit të tyre.

“Qëndrimin e subjektit tonë politik e elaboroi kryetari Haradinaj. Por, do të doja, që bashkërisht si përfaqësues të popullit të Kosovës, të reflektojmë mbi tri çështje esenciale të cilat e lidhin punën e Qeverisë në raport me dialogun Kosovë – Serbi: me menaxhimin, që në esencë ka qenë, tash e dy vjet në keq menaxhim; transparencën që në esencë ka qenë bunkerizim, terr informativ; dhe vendimmarrjen”, tha Tahiri.

Për transparencën ai tha se populli është informuar vetëm nga emisari i posaçëm, Miroslav Lajçak, mbi dialogun.

“Po nisna nga aspekti i transparencës. Qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit në Kuvend kanë dëgjuar për ecurinë e dialogut, tash e dy vjet, vetëm nga informatat e marra nga lehtësuesi i BE-së z. Lajçk dhe disa pozicionime që i kanë bërë partnerët tanë ndërkombëtarë. I gjithë diskutimi i Qeverisë me partitë politike, nuk ka qenë takime pune, por takime të diskutimit, të prezantimit, por jo takime ku është diskutuar haptas me subjektet politike që kanë fuqi që ua ka dhënë populli”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ndërkaq për vendimmarrje ai kritikoi Qeverinë, duke thënë se është e njëanshme dhe se e paraqet vendin joserioz.

“Kur jemi te vendimmarrja autokratike, e njëanshme, ju e keni kundërshtuar planin franko-gjerman. Ka pasur lloj-lloj deklaratash, duke e shpërfaqur shtetin tonë si joserioz tek partnerët ndërkombëtarë. Edhe shumë herë duke e shndërruar Vuçiqin, ministrin e Millosheviqit, si palë konstruktive – njeriun që nuk i ka vendos sanksionet ndaj Rusisë si e gjithë bota demokratike. Tashmë keni reflektuar. Ani, ju lumtë, më mirë vonë se kurrë që keni reflektuar. Mirëpo, kryeministër dëmet, tash e dy vjet janë shkaktuar”, tha Tahiri.

Në fund ai tha se porosia e AAK-së është që ai mos të vonohet, por të veprojë se nuk ka shumë kohë.

Exit mobile version