Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës përmes Projektligjit për zyrtarët publik po dëshiron të kap Administratën Shtetërore. Në seancën ku po shqyrtohet ky projektligj, Tahiri tha se i njëjti godet në thelb meritokracinë.
“Ky ligj nuk është ligj për zyrtarët publikë, por është ligji i kapjes së administratës shtetërore. Është i ligji i cili ka për ta goditur në thelb funksionimin e meritokracisë”, tha ai.
Në anën tjetër, Tahiri tregoi edhe ndër kërkesat kryesore që i kanë si deputetë nga qytetarët.
“Nëse ky ligj njëherë hyn në fuqi, kurrë më asnjë parti politike dhe koalicion nuk ka me largu këtë ligj, pasi askush nuk dëshiron me ia këput vetit. Ne po flasim në mënyrë të sinqertë, kërkesat kryesore ne deputetë i kemi për punësim, le të din populli çka po flasim. Neve na thonë ‘a mundeni me na ndihmu në punësim aty, këtu’”, tha ai.
Partitë opozitare po shprehën kundër projektligjit për zyrtarët publik, i cili u prezantua sot nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky i fundit tha se qëllimi i këtij projektligji është të adresohen nevojat e administratës.