Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri, ka akuzuar shumicën parlamentare në Kuvend dhe qeverinë për papërgjegjshmëri para deputetëve dhe qytetarëve.
Ai tha se ikja nga seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita tregon për pozicionin e dobët që është partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Tema dhe skandale që së paku meritojnë një përgjigje prej atyre që kanë fituar 50 për qind dhe na patën lodh krejt dhe drejt, e patën lodh një popull sa të mirë, të pastër dhe akademikë janë. E sot, thatë këtu, thatë këtu. S’janë as kolegët deputetë të shumicës dhe asnjë njeri i Qeverisë së Kosovës që me dhënë një fjalë me argumentu apo kundërshtuar një temë që është skandal publik që meriton përgjigje”, tha ai.
Sipas tij, përgjimet e dala në publik tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale në ndërmarrje publike, siç është KEK-u.
“Përgjimet që kanë dal në publik tregojnë për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të strukturave joformale, të strukturave që s’kanë asnjë pozicion në shtetin e Kosovës. Të strukturave që po shihen se janë para-politike dhe ndikojnë në një institucion që është Korporata më e madhe Energjetike në vend dhe punëdhënësi me qarkullimin më të madh shtetëror”, përfundoi ai.