UBT News

Tahiri: Habitem që s’ka reagim serioz nga qeveria për rezolutën e Parlamentit Evropian

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të propozojë debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës, ku do të mbështetet rezoluta e Parlamentit Evropian lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se rezoluta e Parlamentit Evropian e kualifikon terrorist sulmin e 24 shtatorit derisa mban përgjegjës si asnjëherë më parë Serbinë për ngjarjen.

“Grupi Parlamentar i AAK-së do t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajtjen e një debati dhe miratimin e një deklarate politike që është në formë të rezolutës për dy çështje. E para, miratimi i një deklarate mbështetëse nga Kuvendi i Kosovës për rezolutën e Parlamentit Evropian e cila si asnjëherë më parë ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator, duke e quajtur si sulm terrorist dhe duke kërkuar drejtpërdrejt përgjegjësi nga Serbia e cila tani është rreshtuar përkrah Federatës Ruse. E dyta, që të ketë një diskutim rreth qëndrimeve dhe reflektimeve që Parlamenti i Kosovës në përkrahje të vendit po i jep procesit të integrimit”, tha ai.

Tahiri në konferencë për medie të premten, u shpreh i habitur siç tha ai me neglizhencën e institucioneve kosovare ndaj kësaj rezolute.

“Është për t’u habitur fakti që një rezolutë si kjo me këtë gjuhë kaq të ashpër ndaj Serbisë të mos ketë reagim të qeverisë, ministrisë dhe parlamentit. Është e papranueshme që në rrethana të tilla mos të ketë një reagim serioz për këtë qëndrim të Parlamentit Evropian… A kuptoni ku ka ra Kosova dhe në dorë të kujt është Kosova? Komunikimi politik dhe komunikimi shtetëror të institucioneve të Kosovës është reduktuar në Twiter, komunikim në rrjete sociale dhe jo adresim përmbajtësor”, shtoi ai.

Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Tahiri tha se e njëjta dënon Serbinë për sulmin terrorist në veri dhe kërkon që të vendosen masa ndaj saj.

“Kjo rezolutë e dënon në masën më të madhe dhe të drejtpërdrejtë Serbinë për sulmin terrorist në këtë deklaratë. Unë i kam shkëputur disa pika dhe nëse e marrim pikën e parë aty dënohet dhe sulmi në veri quhet sulm terrorist, ndërsa si Parlament Evropian i thërret vendet anëtare që nëse nuk e kanë dënuar deri tani ta bëjnë atë sa më shpejt. Te pika dy e fton Qeverinë e Kosovës që të ofrojë të gjithë evidencën që e ka në dorë në mënyrë që të bëhet një hetim për këtë rast. Njëkohësisht e thërret edhe EULEX-in. Pika e tretë e bënë përgjegjës drejtpërdrejt Serbinë dhe flet edhe për organet ushtarake të cilat duhet të kenë kujdes në kontrabandimin e armëve që kanë ardhur nga Serbia. Pika e katërt e thërret Komisionin dhe Këshillin që të merr masa ndaj Serbisë deri sa përmendet edhe parandalimi i IPA III për Serbinë”, theksoi Tahiri.

Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë. Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjskë.

Exit mobile version