Pas publikimit të kandidaturave për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i Këshillit të LDK-së, Xhafer Tahiri ka shprehur përkrahjen e tij për kandidaturën e Lumir Abdixhikut për kryetar të ri të kësaj partie.
Tahiri, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se më 14 mars, ditë kjo kur do mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, ky subjekt politik nuk do t’i përsërisë gabimet që janë bërë në të kaluarën.
Xhafer Tahiri, i cili është edhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, tha se nga takimet që kanë zhvilluar është e qartë se si degë do e mbështesin Abdixhikun për kryetar të kësaj partie. Ai u shpreh optimist se delegatët e LDK-së që do të dalin para kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësin e tyre do të zgjedhin rrugën e duhur për të ardhmen e LDK-së.
“Nga kandidatura që kemi parë tani të zotëri Lufti Hazirit dhe zotëri Lumir Abdixhikut, por besoj që është e qartë që dega jonë në bazë të asaj që thash dhe deklarova dhe takimeve që kemi mbajtur dhe personalisht do ta përkrahim kandidaturën e Lumir Abdixhikut për kryetar të LDK-së. LDK është para një vendimi tepër të rëndësishëm më 14 mars dhe unë kam besim që delegatët e LDK do ta zgjedhin rrugën e duhur për të ecur përpara. Këto zgjedhje nuk janë për të mohuar të kaluarën e LDK-së, nuk janë për të ndryshuar të kaluarën e LDK dhe nuk janë për të mohuar kontributin e askujt brenda LDK-së. Këto janë zgjedhje për të ardhmen e LDK-së dhe Kosovës. Prandaj personalisht, por edhe dega e LDK-së në Vushtrri, përkrahin një ndryshim rrënjësor në këto zgjedhje në Kuvend, do të deklarohemi me votë pavarësisht nëse do jetë votë e fshehtë”, theksoi ai.
Se a do të prodhojë përçarje brenda LDK-së dita e diel kur do të mbahet Kuvendit Zgjedhor, anëtari i Këshillit të Lidhjes, Xhafer Tahiri ka uruar që mos të ndodh kjo gjë pasi vlerësoi se do ishte fatkeqësi e madhe për këtë subjekt politik. Ai po ashtu tha se nuk beson që ka klane brenda partisë, pasi klanet e mëhershme thotë se e sollën LDK-në këtu ku është sot.
“Uroj të mos ndodh kjo gjë, do ishte fatkeqësisë shumë e madhe për LDK-në dhe për Kosovën që vullneti i votuesve të LDK-së për ndryshim, vullneti i anëtarësisë për ndryshim të deformohej në kutin e 14 marsit që do të vendosë në Kuvendin e LDK-së. Uroj që të gjithë në emër të asaj dashurie që e kanë për LDK-në, për këto 30 vite për LDK-në, të reflektojnë dhe të mundësojnë që ajo që është sot ndjesi dhe kërkesë e shumicës absolute të elektoratit të LDK-së të përkthehet në kutinë e votimit më 14 mars, ndryshe do jetë jashtëzakonisht problematike për LDK-në. Unë nuk dua të besoj që ka klane, sepse ato klane e kanë sjellë LDK-në këtu, në fakt ne duhet të hapim një diskutim brenda LDK-së që të sjellim sistemin ‘një anëtar, një votë’ pasi të zgjidhet kryetari i ri në dy vitet e ardhshme, ne duhet të diskutojmë që të kemi ‘një anëtar, një votë’ në mënyrë që LDK t’i kthehet votuesit, qytetarit dhe çdo anëtari i LDK të ketë hisen e vetë në zgjedhjen e kryetarit të LDK edhe në nivel qendror por edhe në nivel të degëve”, deklaroi ai.
Ai shpreson se më 14 mars nuk do t’i mohohet askujt kandidimi dhe do të jetë një proces demokratik, pasi siç tha ai gabimet e të kaluarës nuk duhet të përsëritën.
“Ne do shohim të dielën më 14 marsi që do jetë një proces festiv zgjedhor brenda LDK-së, absolutisht askujt nuk do i mohohet e drejta e kandidimit, të gjitha kandidaturat do të votohen edhe neni famëkeq 25.2 do të tejkalohet në Kuvend, pra nuk do ketë mohim të kandidaturës së askujt, sepse gabimet e të kaluarës nuk mund të përsëritën më. Ka qenë gabim në të kaluarën ajo çfarë ka ndodhur, kam qenë kundër atyre veprimeve personalisht si individ, dhe tani si kryetar i degës, do i kundërshtoj prapë mohimin e kujtdo qoftë dhe pastaj do jetë votimi i fshehtë që do të përcaktojë se kush do jetë kryetari i ri i LDK-së”, u shpreh Tahiri.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri, më 14 mars të këtij vitit. Deri tek zgjedhja e kryetarit të ri erdhi pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurt ku si pasojë dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Më 14 mars 355 delegatë nga 38 degë të kësaj partie nëpër të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre.
Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku do të jenë kandidatë për kryetar të Lidhjes Demokratike të
Kosovës. Ata i paraqitën kandidaturat e tyre të hënën, në një takim të Kryesisë së kësaj partie. Ditë më parë edhe Anton Quni ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar.