UBT News

Tahiri bën thirrje për miratimin e rezolutës, VV-ja kërkon konsultime

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar mbështetje për miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore. Ai tha se është e rëndësishme që të gjithë ta miratojnë këtë rezolutë.

“Ne kemi pasur një diskutim pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian, rezolutë kjo që me 28 pika e dënon sulmin më 24 shtator dhe rrjedhimisht kërkon që të ketë një hetim ndërkombëtar për involvimin e shtetit serb më këtë temë dhe poashtu në shumë pika e sqaron rolin destabilizues të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, lidhjet e saj me Rusinë dhe mbi të gjitha kërkon edhe nga vendet mosnjohëse të BE-së të marrin një vendim dhe të njohin Kosovën”, deklaroi ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila kërkoi mbledhje për t’u koordinuar për përmbajtjen e kësaj Rezolute e më pas shprehi zotimin se do ta votojë edhe mazhoranca.

“Ne si grup i mazhorancës në parim jemi në mbështetje të asaj Rezolute, vetëm kërkojmë mirëkuptimin edhe të z.Tahiri dhe tre shefave të grupeve tjera parlamentare dhe vetëm kërkojmë edhe një herë që të bëjmë një rishikim të përbashkët dhe që të kthehemi gjatë ditës dhe ta miratojnë. Nuk ka ndonjë çështje parimore që nuk pajtohemi vetëm duam që të jemi të gjithë në një vijë dhe të pajtohemi në tërësi me tekstin që është në përmbajtje të rezolutës”, deklaroi ajo.

Pas këtyre deklaratave këto propozime u vendosen në votim dhe shefat e GP kanë dalë nga salla e Kuvendit për të diskutuar në lidhje me rezolutat që janë propozuar nga opozita.

Exit mobile version