Në seancën plenare ku është ftuar kryeministri për raportim të takimit të fundit në Bruksel, Tahiri tha se Kurti po i bën favor presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Është për keqardhje që përmes këtij raportimi të vonuar sot mund të mësojmë për gjëra përmes të cilave, me dashje apo pa dashje Albin Kurti po i bën favor Aleksandër Vuçiqit duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtur në raportin konfidencial. Sikur ky kryeministër t’i besonte vullnetit të sovranit dhe të popullit, kurrë nuk do të pranonte që informacionet vitale për Republikën e Kosovës të trajtuara në dialog të mbahen në konfidencë, larg qytetarëve, larg kuvendit pa përfshirjen e tyre dhe pa besimin e shumicës. Një qasje e tillë e papërgjegjshme nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik, e lëre më një kryeministër i cili ka shumicën e popullit të Kosovës”, deklaroi ai.
Tahiri shtoi se për dallim nga presidenti i Serbisë, kryeministri Albin Kurti nuk ndan informacionet e dialogut me deputetët e as me Shqipërinë.
“Kosovës nuk i duhet që të mësojë për dialogun dhe për risitë e tyre nga informacionet që i marrim nga Serbia zyrtare, e as nga Vuçiqi, e as nga Beogradi. Sepse ne e dimë që edhe ata kur janë të hapur, e kur janë të mbyllur, ata angazhohen vetëm në një agjendë, atë të dëmtimit të interesave shtetformuese të Repiblikës së Kosovës. për Serbinë dhe për përfaqësuesit e saj konfidencialiteti mund të jetë taktizim, por për Kurtin mungesa e transparencës dhe përfshirjes së publikut, së kuvendit dhe akterëve të tjerë është arrogancë dhe është vazhdimësi e mashtrimit të tij që nga dita e parë kur ka ardhur në kuvend. Përderisa Vuçiq me shumë gjasë i ndan dhe i trajton informacionet edhe me Rusinë edhe me Kinën, kryeministri jonë as nuk i ndan me ne as me Shqipërinë amë”, shtoi ai.