Mediat e kontrolluara nga presidenti Aleksander Vuçiq po vazhdojnë kampanjën kundër mediave të pavarura në Serbi siç është ‘Danas’ që është kritike ndaj pushtetit të presidentit serb.
Danas-i serb ka shkruar se mediat e afërta me presidentin Vuçiq kanë akuzuar këtë medium se po bën përpjekje për të shkaktuar kaos në Serbi për rastin e Veljko Belivuk dhe grupit të tij kriminal që raportohet për lidhje të afërta me Aleksander Vuçiqin.
Në artikullin e Danas thuhet se tabloidet serbe siç janë ‘Alo’ dhe ‘Informer’ kanë sulmuar mediumin e pavaruar me artikuj kinse po kërkon likuidimin e Aleksandër Vuçiq.
Danas sqaron se artikulli i publikuar në këtë medium me titull “Likuidimi i Aleksander Vuçiqit” është tekst autorial nga Aleksandar Dikiq, anëtar i Partisë Demokratike e Serbisë.
Ndryshe, Veljko Belivuk që është shefi i një grupi të organizuar kriminal në Serbi i cili është arrestuar së fundmi, u ka thënë hetuesve se ka pasur kontakte me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Ai para hetusve tha se Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij dëshironin favore të ndryshme përfshirë frikësimin e organizatorëve të protestave kundër pushtetit të Vuçiqit shkruan portali KRIK duke cituar transkriptimin e marrjes në pyetje të Balivuk, transmeton Gazeta Express.
Belivuk dhe grupi i tij janë arrestuar para disa muajve dhe u akuzuan për vrasje, trafikim të narkotikëve dhe të tjera krime serioze.
Transkriptimi e citon atë të ketë thënë se ai vendosi të flasë për marrëdhëniet e tij me Vuçiqin, Vulinin, vëllain e Vuçiqit, miqtë dhe politikanë të tjerë që kërkuan favore të cilat ai renditi.
Belivuk tha se ai kontaktoi Vuçiqin përmes mbështetësit të futbollit Aleksandar Vidojevic i cili është shok me djalin e presidentit duke shtuar se ai foli me presidentin personalisht disa herë. Ai gjithashtu kërcënoi të zbulonte më shumë detaje “nëse disa njerëz nuk zgjohen” dhe se ai është anëtar i partisë së Vuçiqit që nga viti 2011.
Belivuk tha se ai u ankua te shoku i ngushtë i Vuçiqit, Darko Glisiq (gjithashtu një zyrtar i SNS) i cili e ftoi atë në shtëpinë e tij.
Belivuk u tha hetuesve se Glisiq i premtoi atij një takim me Vuçiqin.
“Ai më dha kontakte të BIA-s (agjencisë serbe të inteligjencës dhe sigurisë) duke thënë se ata do të më tregonin kur dhe ku,” tha ai.
Ai tha se takimi vazhdoi në një apartament në lagjen Zvezdara në Beograd vetëm me Vuçiqin dhe Miljekoviqin(krahun e djathtë të tij)
“Ne diskutuam disa tema dhe patëm edhe disa takime tjera. Ai na tha në takimin e parë që do të takoheshim sa më pak të ishte e mundur në mënyrë që të mos e rrezikonim atë ose veten për shkak të situatës politike,” citohet ai në transkript, duke shtuar se Vuçiq kërkoi disa favorizime përfshirë shkarkimin e menaxhmentit të klubit futbollistik Partizan për të cilin nuk mund të pajtohej.