Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se janë 17 ekipe me rreth 60 persona në terren që po e vëzhgojnë votimin në qendra të ndryshme. Szunyog ka thënë se i kanë koordinuar ekipet e ndryshme në të gjitha komunat ku po mbahet votimi, për të vërtetuar faktet nga terreni.
“Vendosëm të dërgojmë vëzhgues në këtë proces. Janë organizuar shtetet anëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare nga vendet e tjera partnere, janë 17 ekipe për rreth 60 persona që kanë shkuar në qendra të ndryshme votimi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta vëzhgojnë terrenin për t’i vërtetuar faktet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar bojkotin e zgjedhjeve për votimin pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore. Për bojkot të këtij procesi zgjedhor ka bërë thirrje Lista Serbe.