Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, deklaroi sot se nuk ka rrugë të shpejtë drejt Bashkimit Evropian pa reforma në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën”, ka thënë se vettingu i paralajmëruar duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme.
“Nuk ka rrugë të shpejta drejt BE-së, duhet të implementohen reformat posaçërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ambasadori Szunyog.
Duke folur për raportin e progresit të Komisionit Evropian, Szunyog ka thënë se Kosova nuk ka bërë progres në përmbushjen e rekomandimeve për administrimin publik.
“Kemi vërejtur me shqetësim interaksionin në rivlerësimin e gjyqtarëve. Vettingu, një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si një mase e jashtëzakonshme”, ka thënë ai, duke shtuar se një proces i tillë duhet të jetë në pajtim me standardet evropiane.
Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se raporti i progresit përmban pasaktësi.
“Rekomandimet jemi duke i trajtuar me seriozitetin maksimal dhe do të përmbushim pjesën më të madhe të tyre, përfshirë reformën zgjedhore. Raporti nuk ka arritur të ngërthejë zhvillimet deri në momentin e fundit, ndoshta për çështje teknike”, tha Bislimi.