Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se është tmerruar nga vrasja e mbrëmshme e shtatzënës në Prishtinë.
Ai ka quajtur të papranueshëm vrasjen e gruas nga ish-bashkëshorti i saj.
“Jam tmerruar nga vrasja e mbrëmshme e një gruaje dhe fëmijës së saj të palindur. Ajo ishte gruaja e dytë e vrarë që nga fillimi i fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Kjo është e papranueshme! Ngushëllimet e mia për familjet dhe mbështetjen e plotë për marshin e organizuar sot nga OSHC-të e grave”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
Ndryshe, mbrëmë një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur.
Gjykata Themelore e Ferizajt, sot ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.