UBT News

Szunyog: Inkurajojmë Kosovën që të shqyrtojë opsionet për furnizim me energji

Zyra e Bashkimit Evropian po inkurajon Kosovën që të shqyrtojë opsionet për furnizim me energji. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se njerëzit në Kosovë meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër. Ai në tryezën me temën “Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka shprehur shqetësimin edhe për mungesën e kuorumit në parlament dhe ecurinë e ngadaltë të akteve legjislative.

Instituti EPIK në bashkëpunim me Komisionin për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur tryezën me temën “Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”.

Derisa ka diskutuar për integrimin e Kosovës në BE, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka shprehur shqetësimin për mungesën e kuorumit në Kuvend dhe ecurisë së ngadaltë të ligjeve.

“Është një konsensus shumë i fortë për integrimin e Kosovës në BE, dhe të gjitha partitë politike e mbështesin këtë proces, por mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që ato deklarata të përgjithshme të mbështetjes për integrimin në BE gjithashtu të shndërrohen në aktivitete konkrete të këtij Kuvendi. Më duhet të pranoj se ne jemi duke monitoruar punën e Kuvendit dhe na shqetëson shpesh mungesa e kuorumit dhe ndonjëherë ecuria e ngadaltë e akteve kyçe legjislative në Kuvend, dhe padyshim që kjo vlen edhe për këtë ndryshim gjithëpërfshirës të legjislacionit zgjedhor por edhe për Ligjin për financimin e partive politike”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se Ballkani Perëndimor është prioritet për Bashkimin Evropian. Szunyog ka folur edhe për energjinë në Kosovë, ku deklaroi se duhet të shqyrtohen opsionet për furnizim.

“Në Kosovë, furnizimi jo i besueshëm me energji, i cili bazohet kryesisht në thëngjill, mbetet një shqetësim. Ne inkurajojmë fuqimisht Kosovën që t’i përafrojë prioritetet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe të shqyrtojë opsionet për të ndryshojë furnizimet me energji. Kjo është edhe më e rëndësishme tani kur ne po përballemi edhe me krizën në Evropën Lindore. Kosova duhet të rrisë këtë përkushtim politik për të adresuar degradimin e mjedisit dhe sfidat klimatike, gjithashtu në këndvështrimin e përmbushjes së agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit në Kosovë meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër. Rreziqet dhe kostot e mos kalimit në një energji të pastër për njerëzit, për mjedisin, krijimin e vendeve të punës për investime dhe ekonominë në përgjithësi, janë dhe do të jenë të mëdha”, ka deklaruar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi u shpreh optimiste në liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Mungesa e liberalizimit të vizave është dëshpëruese për shumicën e qytetarëve të vendit tonë, por jam shumë optimiste dhe duhet të jemi krenarë për punën e institucioneve tona gjatë viteve të fundit në plotësimin dhe përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave. Tani në fund të procesit nuk duhet të humbim shpresat. Përkundrazi duhet të intensifikojmë përpjekjet tona në bashkëpunim me aleatët tanë dhe t’i japim fund izolimit të qytetarëve të Kosovës. Me fjalë të tjera, nuk është koha për pesimizëm, nuk është koha për fajësime por për bashkëpunim me aleatët tanë evropianë. Është e qartë që dialogu me Serbinë ka një rëndësi të veçantë për avancimin e rrugës evropiane për vendin tonë”, tha ajo.

Ajo tha se institucionet duhet të tregojnë pjekuri dhe guxim në arritjen e kompromiseve të vështira në kuadër të dialogut me Serbinë.

E,ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel theksoi se janë aktiv në agjendën ndërkombëtare që ka të bëjë me zvogëlimin e emetimit të gazrave dhe mbrojtjen e ambientit. Po ashtu, ajo me theks të veçantë ka folur për digjitalizimin, ku tha se Franca është e gatshme që të bëjë “Evropën digjitale”.

“Është e nevojshme që të kemi diplomaci edhe në fushën e ekonomisë, ambasada ime është duke e shikuar shumë afër situatën në Kosovë. Dhe jemi të kënaqur që ka qëndrueshmëri në zhvillimin e pikave të cilat i përmenda. Kemi të bëjmë edhe me digjitalizimin, teknologjia digjitale është shumë e rëndësishme për të gjitha shtetet. Duhet ta zhvillojmë këtë fushë edhe më tej. Franca është e gatshme që ta bëjë Evropën digjitale dhe ta promovojë integrimin e tregut digjital. Ambicia jonë është që ta promovojmë digjitalizimin dhe duke zbatuar edhe Ligjin për Konkurrencë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Kosova tashmë ka hedhur hapat e parë për digjitalizim. Ajo ka rekomanduar që një gjë e tillë të bëhet në mënyrë sensitive, duke marrë parasysh mbrojtjen e klimës. Më tej, ka shtuar se digjitalizimi deri në vitin 2024 do të jetë shumë i përhapur dhe se duhet të zbatohet në mënyrë të mençur. 

Exit mobile version