UBT News

​Szpisjak: Viti i fundit ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it

Në kampin “Film City” në Prishtinë është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së zëvendëskomandantit të KFOR-it, mes Jozsef Szpisjak dhe Federico Bernacca. Paraardhësi i këtij të fundit deklaroi se viti i fundit ishte më sfiduesi në historinë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Tutje, Szpisjak shtoi se gjatë kësaj periudhe kanë reaguar ndaj krizave të shkaktuara që nga dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutaş tha se Jozsef Szpisjak ka shërbyer me nder në NATO dhe se ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e mandatit të KFOR-it në Kosovë.

“E di që ky vit ka qenë sfidues. Megjithatë, ju keni bërë hapa dhe përparim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në përmbushjen e mandatit të KFOR-it, duke ofruar asgjë tjetër veçse më të mirën partnerëve tanë të vendit nikoqir të Kosovës. Ju keni përmendur shpesh se qëllimi juaj ishte ta përmirësoni misionin tuaj. Nga sa kam vërejtur, ju po e lini KFOR-in dhe NATO-n në një pozitë shumë më të mirë. Në vitin e kaluar fushat tuaja të fokusit ishin: Menaxhimi i Hapësirës Ajrore të Kosovës, mbikëqyrja e Mbrojtjes së Forcave, Ekipet e Ndërlidhjes dhe Monitorimit (LMTs’), si dhe Grupi Mbështetës i Shtabit dhe Kampin Novo Selo. Për më tepër, ju keni përfaqësuar komandantin e KFOR-it në takimin e Komandantëve Ekzekutiv të Kosovës dhe keni pasur lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, tha komandanti i ri i KFOR-it.

Tutje përmendi edhe disa nga arritjet e ish-zëvendëskomandantit.

“Në partneritet të ngushtë me drejtorin e Policisë së Kosovës, keni udhëhequr pjesën e KFOR-it në iniciativën kolektive për rritjen e bashkëpunimit dhe dialogut transparent. Për menaxhimin e hapësirës ajrore. Ju siguruat rihapjen e linjave ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke rezultuar në fluturime më të shkurtra dhe më efektive brenda dhe jashtë. Gjithashtu, ju përfunduat me sukses negociatat për Rregulloren e Sistemit të Avionëve pa pilot të KFOR-it, duke garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e të gjitha aktiviteteve ajrore, për të përfshirë rritjen enorme të fluturimeve me dronë”, shtoi ai.

Ai i uroi mirëseardhje edhe zëvendëskomandantit Federico Bernacca, për të cilën tha se ka punë të mëdha për të bërë.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, ish-zëvendëskomandanti i KFOR-it, Jozsef Szpisjak tha se viti i kaluar ishte më sfiduesi për historinë e KFOR-it në Kosovë.

“Dua të theksoj se viti i kaluar ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it. Sepse ne e gjetëm vetën duke reaguar në lehtësimin e një krizë pas krize, e shkaktuar nga dorëheqja e serbëve të Kosovës nga të gjitha institucionet në Kosovë vitin e kaluar më 5 nëntor, duke filluar bllokimin e rrugës prej 90 ditësh në muajin dhjetor. Kjo dorëheqje ka ndikuar më pas në rrjedhën e zgjedhjeve, duke ndezur një sërë ngjarjesh që kulmuan me tensione shtesë nga 29 maji, dhe së fundmi, më 24 shtator, është e domosdoshme të pranohet se këto ngjarje të ndërlidhura u ndikuan thellë nga incidenti i serbëve të Kosovës”, deklaroi ai.

Zëvendëskomandanti Federico Bernacca tha se trashëgimia profesionale e paraardhësit do të jetë busulla që do të drejtojë mandatin e tij.

“Respekti im më i thellë shkon për të gjithë ushtarakët tanë të rënë, dhe në veçanti më lejoni të kujtoj nëntetarin Claudio CADEDDU nga Ushtria Italiane, i cili së fundmi humbi jetën. Rruga e tyre shërben si një udhërrëfyes solemn për udhëtimin tonë. Si ushtar, besoj se veprimet flasin më shumë se fjalët, dhe motoja e zgjedhur nga komandanti ynë i KFOR-it pasqyron qartë misionin tonë: SË BASHKU MË TË FORTË PËR PAQEN. Kështu që unë do t’i dedikoj çdo burim për të bashkëpunuar me secilin prej jush, pasi besoj se nëse kërkoj nga të gjithë anëtarët e KFOR-it që të përfshihen drejtpërdrejt, atëherë edhe unë duhet të përfshihem drejtpërdrejt”, përfundoi ai.

Një muaj më parë është organizuar edhe ceremonia e ndërrimit të komandës mes Angelo Michele Ristuccia dhe Ozkan Ulutas.

Exit mobile version