UBT News

Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, garantohet që s’do të ndiqet penalisht

Në Hagë ka nisur dëshmia e Sylejman Selimit, i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dëshmia e Selimit pason atë të dëshmitarit të 120-të, me kodin W00542, dhe do të zhvillohet në seanca publike.

Gjatë seancës, avokati i Selimit, Artan Qerkini, kërkoi garanci për mbrojtjen e klientit të tij në përputhje me Rregullën 151 të procedurës dhe provave. Kryegjyqtari i gjykatës ndërkombëtare, i cili u shpreh se dëshmitari do të ketë garancitë e përcaktuara ligjërisht, theksoi se dëshmia e Selimit do të jepet në publik, por dëshmitari ka të drejtë të zgjedhë ta japë dëshminë në seancë me dyer të mbyllura, duke garantuar kështu që askush të mos ketë qasje në informacionin e tij.

Sipas kryegjyqtarit, kjo mbrojtje garanton që dëshmitari nuk do të ndiqet penalish për dëshminë e dhënë, dhe asnjë informacion që ai ofron nuk do të ndahet me palë të tjera, përveç gjykatës. Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime në lidhje me garancitë për dëshmitarin, duke konfirmuar se çdo informacion që jepet në seancë publike bëhet i disponueshëm për të gjithë publikun.

Dëshmitari Selimi, i cili është djali i axhës së Rexhep Selimit, u shpreh se dëshiron të dëshmojë në një seancë publike, dhe u njoftua se, pas pranimit të garancive, çdo refuzim për të dëshmuar do të sanksionohej me një gjobë.

Dëshmia e Selimit pritet të zgjasë rreth katër ditë, ndërkohë që prokuroria ka kërkuar pesë orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë kërkuar 14 deri në 16 orë për kundërpyetje./UBTNews/

Exit mobile version