UBT News

Sylë Ukshini: Çfarë do të thotë një rikthim i Trump për Kosovën?

Donald Trump tashmë zyrtarisht ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë presidenti i 47-të i vendit. Me këtë fitore, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, pas presidencës së tij të parë nga viti 2017 deri në vitin 2021, duke u bërë një nga pak presidentët në historinë amerikane që rikthehet në detyrë pas një ndërprerjeje.

Ky rezultat ka ngjallur reagime të shumta në të gjithë globin, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila ka lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA kanë qenë historikisht të ngushta dhe të veçanta, me mbështetjen amerikane që ka luajtur një rol të rëndësishëm në pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ish-diplomati dhe analisti Sylë Ukshini, në një intervistë për UBTNews, vlerësoi se, ndonëse marrëdhëniet historike të Kosovës me SHBA janë të qëndrueshme dhe të veçanta, liderët e Kosovës duhet të punojnë më shumë për të ndërtuar një komunikim të fortë me administratën e re republikane.

Cilat mund të jenë pasojat e një rikthimi të Trump për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe ndikimin e mundshëm të tij në qëndrimet e Evropës ndaj Kosovës. Çfarë ndryshimesh priten në raportet SHBA-Kosovë dhe qasjen evropiane?

UKSHINI: Fitorja e kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, pa diskutim, është një ngjarje që pritej për dy arsye: e para, atentati kundër tij i dha shumë avantazh në fushën elektorale; e dyta, demokratët tepër vonë u përcaktuan për kandidatin e tyre. Presidenti aktual, Joe Biden, u tërhoq vonë dhe kjo u bë përcaktuese në garën për president.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos rrëshqasim në komente kuturu që kontribuojnë në klimën antiamerikane, sepse fitorja e Trump-it nuk do të ketë asnjë impakt negativ për republikën tonë, e cila deri këtu ka arritur në radhë të parë me mbështetjen politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së. Republika e Kosovës dhe SHBA janë aleatë historikë, dhe jam i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe me administratën e re amerikane dhe nga qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Megjithatë, në ndërkohë, lidershipi i Kosovës duhet të punojë në mënyrë intensive për të ndërtuar një komunikim të fortë me republikanët dhe administratën e re republikane.

Në këtë kontekst, lidershipi i Kosovës duhet të ketë një plan të qartë dhe të matshëm, duke e bërë të qartë se tejkalimi i status quo-së në raportet Kosovë-Serbi mund të arrihet me një përfshirje më përmbajtjesore të amerikanëve, sepse dialogu aktual ka vite që është futur në qorrsokak. Shikoni, po bëhen dy vite nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, dhe nuk kemi asnjë progres; përkundrazi, vetëm përkeqësim. Jo vetëm që nuk kemi njohje të reja nga 5 vendet e mbetura të BE-së, të cilat na u premtuan, por kemi një zhvendosje të BE-së drejt qëndrimit të Serbisë, që kulmoi me refuzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Si mund të ndryshojë politika e Trump në lidhje me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor?

UKSHINI: Duhet ta pranojmë se administrata e presidentit Joe Biden nuk ka shënuar ndonjë sukses të evidentuar në Ballkanin Perëndimor. Ndoshta kjo ka ndodhur edhe për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës dhe luftës në Gazë.

Duke njohur traditën e republikanëve, unë pres që presidenti në ardhje, Trump, do të ndjekë edhe një diplomaci të forcës, që nënkupton se ai do të kërkojë qasje të reja për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Është naivitet ta quash Trump-in pro-rus, sepse diplomacia nuk interpretohet brenda kontekstit të një fjali apo një deklarate. Por duhet të keni parasysh se, për amerikanët, sa është i rrezikshëm Putini për Evropën, po aq e rrezikshme për SHBA është ngritja e Kinës. Administrata e ardhshme e Trump-it tashmë ka vendosur prioritete të qarta në politikën e jashtme, e cila, duhet pranuar, ka qenë në qendër të vëmendjes së zgjedhësve amerikanë.

Në këtë ambient dinamik të politikës ndërkombëtare, nuk do të jetë shumë e lehtë përqendrimi i vëmendjes së Washingtonit për Evropën Juglindore, respektivisht për Kosovën. Për këtë arsye, politika kosovare duhet të ndezë motorët e saj dhe duhet të ndërmarrë të gjitha përpjekjet brenda dhe jashtë vendit për të vendosur një komunikim intensiv me republikanët, të cilët kanë një histori të bujshme angazhimi për Kosovën, që nga Senatori Bob Dole. SHBA nuk është Evropë, atje politika dhe mënyra e bërjes së politikës funksionojnë ndryshe. Ne duhet t’i ri-gjejmë miqtë tanë nga radhët e republikanëve, duhet të aktivizojmë kompanitë prestigjioze të lobingut, dhe në këtë mes duhet të aktivizojmë edhe diasporën amerikane, e cila ka ndikim dhe komunikim të mirë me protagonistë të politikës amerikane në Kongres, Senat dhe State Department.

Ukshini: Kosova duhet të shmangë narrativen evropiane kundër Trump-it dhe të ruajë marrëdhëniet e forta me SHBA

UKSHINI: Shikoni, Kosova ka marrëdhënie speciale me SHBA-në që shkojnë përtej gjeografisë dhe çfarëdo ideologjie. Tradicionalisht, te shqiptarët ka ekzistuar një besim te SHBA, për shkak të qasjes jo-klientelistike në Evropën Juglindore, që janë vendimtare për fatin e tyre, disa herë të nëpërkëmbur nga fuqitë evropiane. Që nga Konferenca e Paqes (1919), kur presidenti amerikan Wilson doli në mbrojtje të popujve të vegjël, pra edhe të Shqipërisë, e deri te zgjidhja e çështjes së Kosovës në vitet nëntëdhjeta të shekullit 20, roli i politikës amerikane për Kosovën ka qenë vendimtar. Marrëdhënia e veçantë me SHBA u kultivua si gjatë rezistencës sonë paqësore ashtu edhe gjatë luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila në Konferencën e Rambouilletit fitoi legjitimitet ndërkombëtar. Në këtë kontekst, merita e jashtëzakonshme për këtë i takon ish-sekretares amerikane Madeline Albright, e cila ishte zëri i Kosovës në administratën e ish-presidentit Bill Clinton.

Pra, SHBA, si republikanët dhe demokratët, e kanë përkrahur Kosovën në rrugën e saj të lirisë dhe pavarësisë. Nuk duhet harruar se presidenti republikan George Bush në dhjetor të vitit 1992 i pati dërguar Milosheviqit kërcënimin e Kërshëndellave, sipas të cilit Beogradit i tërhiqej vërejtja se, në rast përdorimi të forcës ushtarake në Kosovë, do të ndëshkoheshin nga SHBA. Në kohën kur evropianët po luhateshin dhe propozonin negociata shtesë midis Kosovës dhe Serbisë pas refuzimit të Planit të Ahtisaarit nga Rusia, ishte George Bushi i ri, i cili në qershor të vitit 2007 në Tiranë pati thënë se “mjaft është mjaft, Kosova do të jetë e pavarur.” Dhe për ta bërë edhe më konkret, në periudhën e administratës Donald Trump, ndodhi transformimi i FSK-së në ushtri, edhe pse disa vende evropiane të NATO-s e kundërshtonin këtë përpjekje të drejtë të Kosovës. Ndërsa, njohja e fundit e Kosovës në vitin 2020 erdhi po ashtu nga administrata Trump, kur Izraeli e konfirmoi njohjen gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit.

Mbi të gjitha, unë mendoj se Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk guxon të bëhet pjesë e narratives evropiane kundër Donald Trump-it, sepse evropianët kanë çështje të tjera që dallojnë thellësisht me ato të Kosovës. Në fund të fundit, qasja e BE-së ndaj Kosovës herë pas here ka qenë më e padrejtë dhe më brutale sesa ajo që kërkon Trump nga evropianët. Sjellja e BE-së për vizat ka qenë gati bulëzuese për Kosovën, ndërsa njohja e pasaportave të një qendre ilegale serbe është goditja më e rëndë që ka marrë Kosova në periudhën e pas pavarësisë. Një shtet mund të ketë vetëm një pasaportë. Nuk shkon, në njërën anë ta njohësh Kosovën si shtet, dhe në anën tjetër të njohësh pasaporta serbe, kur qytetet dhe territori i Kosovës trajtohen si territor i Serbisë. Janë këto arsye dhe mënyra si u arrit Marrëveshja e Ohrit që duhet të na bëjnë të ndërgjegjshëm se Kosova nuk ka asnjë arsye të ndjekë narrativen evropiane ndaj Trump-it. Vërtetë ai është jokonvencional, por është autentik dhe i drejtpërdrejtë dhe kam besim se nëse ne tregojmë shkathtësi diplomatike për ndërtimin e raporteve të mira me administratën e re, Kosova nuk do të dalë humbëse. Pra, ne duhet ta lexojmë saktë lëvizjen e politikës amerikane dhe të mos sillemi sikur jemi kërthiza e botës. Shtetet e vogla, si Kosova, nuk janë përcaktues asnjëherë të rezultateve zgjedhore. Shtetet e vogla nuk marrin anë në zgjedhje, por ndjekin një rezon shtetëror për të nxjerrë më të mirën në çdo situatë.

A do të ketë një angazhim më të fuqishëm për të zgjidhur tensionet ndërmjet vendeve të rajonit, apo do të rritet tendenca për të lënë shtetet ballkanike të zgjidhin problemet e tyre vetë?

UKSHINI: Unë besoj se administrata e re amerikane mund të ndryshojë dinamikat e dialogut Kosovë-Serbi dhe mund të përshpejtojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje. Në këtë kontekst, unë e shoh pozitive zotimin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sepse pa u ndaluar lufta atje dhe pa një normalizim të marrëdhënieve SHBA-Rusi do të jetë vështirë e përfytyrueshme një marrëveshje e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, për amerikanët rival më problematik duket të jetë Kina dhe në këtë kontekst strategët e politikës së jashtme amerikane do të provojnë që Rusinë dhe Kinën të mos i lënë së bashku me një “anije”, por t’i mbajnë të ndara, ta përdorin Rusinë si kundërpeshë ndaj Kinës. Kjo është e njëjtë me atë që ndodhi në vitet ‘70 të shekullit 20, kur në mesin e Luftës së Ftohtë, SHBA filloi hapjen e marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës si një kundërpeshë strategjike ndaj BRSS-së. Kjo duket e papërfytyrueshme për momentin, por marrëdhëniet e acaruar SHBA-Rusi nuk do të vazhdojnë pa fund. Dhe sa më parë që ndodhë kjo, dhe sa më shpejt që zgjidhet konflikti Rusi-Ukrainë, aq më mirë do të jetë për Evropën Juglindore, respektivisht për Kosovën dhe përpjekjet e saj për integrimin në sistemin ndërkombëtar.

Pra, fotografia është e gjerë dhe më komplekse sesa që duket në plan të parë.

Për më tepër, Kosova asnjëherë nuk duhet të ketë marrëdhënie armiqësore me SHBA. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm për gjithçka që flasim, sepse nga fjala fillon gjithçka. Unë jam i sigurt se në Beograd, në Moskë, si dhe në qarqe ekstremiste islamike, janë të interesuara për të shkaktuar panik, skepticizëm dhe klimë antiamerikane në Kosovë. Duhet anashkaluar këtë grackë të ngritur nga kundërshtarët e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Duke parafrazuar mendimin e rilindësve tanë, do të thosha se dielli për Kosovën lind në SHBA.

Intervistoi: Dea Berisha

Exit mobile version