Në mbledhjen e radhës së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, raportuan ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zv/ministri Blerim Gashani dhe këshilltari i ministrit të MPB-së, Ferdinand Nikolla.
Në fillimin të fjalës së tij, Sveçla tha se fokusi i tij është arritja e objektivave të përcaktuara të ministrisë, si dhe sfidat në fushën e sigurisë publike, të cilat janë duke u trajtuar me prioritet. Tutje, ai përmendi disa nga sfidat me të cilat po përballet Policia e Kosovës, siç është mosha e vjetër, mungesa e sigurimeve shëndetësore, si dhe ndërrimi i shpeshtë i qeverive. Gjithashtu, u theksua që së shpejti në Kuvend do të procedohet Projektligji për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës, si dhe Projektligji për Inspektoratin Policor të Kosovës. Ai shtoi se janë duke punuar në fuzionimin e strategjive në kuadër të kësaj ministrie, me qëllim që të jenë sa më funksionale.
Sipas ministrit Sveçla sfidë mbetet forcimi i rendit dhe ligjit në komunat veriore të vendit. Duke pasur parasysh që ky problem është disavjeçar, ministri tha se kërkohet angazhim shumë dimensional. Në vijim ai sqaroi se janë formuar grupe punuese për të parë funksionimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që i referohet lirisë së lëvizjes së palëve të treta. Ai po ashtu bëri të ditur se më 18 maj ka anuluar tenderin për furnizimin me dokumente personale identifikuese, projekt që përfshinte 21 milionë euro.
Ndërsa, në vijim të këtij takimi ai tregoi se më 17 maj 2021, Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksionin e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë (DEA-Amerikane dhe Guardia di Finanza dhe Policia shqiptare), ku është kapur sasia prej 400 kilogramë kokainë. Po ashtu, Sveçla tha se janë në fazën e përfundimit të marrëveshjeve me shtetin italian dhe gjerman për njohjen e patentë-shoferëve dhe formimin e grupit punues për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Gjatë këtij raportimi, ai sqaroi se do të formohet Brigada e Mbrojtjes Civile, në kuadër të AME (Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave).
Krejtësisht në fund, ministri Sveçla tha se janë të interesuar në ofrimin e shërbimeve profesionale në funksion të qytetarëve.
Pas fjalës së ministrit, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, ngriti disa çështje, me theks të veçantë lidhur me kushtet e punës së Policisë së Kosovës, gjendjen në stacionin policor në Gjilan, atë në Kodrën e Trimave në Prishtinë, mungesën e veturave dhe logjistikën për kryerjen e punëve etj. Ai kërkoi informacione edhe për gjendjen në IPK, si dhe shkarkimet që janë duke ndodhur në kuadër të Policisë së Kosovës.
Me këtë rast Sveçla duke dhënë përgjigje në çështjet që u ngritën nga kryetari i Komisionit, tha se janë duke punuar në përmirësimin e kushteve, ndërsa theksoi se në Kodrën e Trimave në Prishtinë së shpejti do të fillojë ndërtimi i Stacionit Policor, pasi kjo çështje tashmë është zgjidhur. Ndërsa, sa i përket zhvillimeve tjera, ai tha se janë duke u ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes.
Tutje, ai dha sqarime të shumta edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, sa i përket zhvillimeve në kuadër të Ministrisë dhe Policisë së Kosovës, si dhe në fushën e sigurisë publike.
Pas shterimit të diskutimit, Komisioni miratoi edhe Planin e punës së Komisionit, për vitin 2021./UBTNEWS