Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot priti në takim të lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar. Me këtë rast, siç informoi ministria, Sveçla e falënderoi ambasadorin Sakar për angazhimin e tij në avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Turqisë.
Gjatë takimit, ministri Sveçla e falënderoi ambasadorin Sakar për angazhimin e tij, sidomos në avancim e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
“Në këtë takim u ritheksuan raportet e shkëlqyeshme dhe u vu në pah se bashkëpunimi do të vijojë, duke krijuar gjithnjë mundësi të reja për shumë fusha të cilat janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve”, u bë e ditur në komunikatë.
Ambasadori Sakar e falënderoi ministrin Sveçla për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim mes dy vendeve në ngritjen e çështjeve kur ka qenë në pyetje interesi i qytetarëve. Ai, sipas komunikatës, theksoi se mbështetja e vazhdueshme e Republikës së Turqisë për Republikën e Kosovës do të vijojë në shumë fusha edhe në të ardhmen.
Tutje, Sveçla duke i uruar suksese në detyrat e tija të reja, i uroi të gjitha të mirat për ambasadorin dhe familjen e tij, duke vënë në pah se Kosova do të jetë vendi ku ai do të jetë gjithnjë i mirëpritur.