UBT News

Sveçla: Po shqyrtojmë alternativat për akomodimin e afganëve, përjashtohet Qendra e Studentëve

Autoritetet në Prishtinë po bisedojnë me partnerët për të parë se cilat janë alternativat më të mira për akomodimin e shtetasve afganë, të cilët janë të rrezikuar nga talibanët.

Kështu deklaroi të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Kosova ka kapacitete “jashtëzakonisht të vogla” për t’u marrë me situata të tilla të jashtëzakonshme.

Megjithatë, Sveçla nuk dha detaje se sa afganë do të vijnë në Kosovë dhe kur pritet ardhja e tyre.

“Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Ambasadën amerikane këtu dhe me përfaqësuesit e NATO-s, në mënyrë që atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi se aleate dhe partnere strategjike i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të jemi pjesë e lehtësimit të kësaj situate jashtëzakonisht të rëndë për shtetasit afganë, posaçërisht për një grup që njihet si grup i të rrezikuar”, tha Sveçla gjatë një konference për media.

Ai tha se ka pak gjasa që afganët, që pritet të vijnë në Kosovë, të strehohen përkohësisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ashtu siç kishin raportuar disa media lokale.

“Kemi bërë planet operative, në mënyrë që i gjithë ky proces të organizohet në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Ka disa alternativa të ndryshme, qoftë për strehim qoftë edhe për mënyrën e pritjes dhe transportimit të tyre nëpër vendet ku ata do të akomodohen”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendimet e duhura për t’iu mundësuar qëndrim të përkohshëm shtetasve afganë të cilët kanë bashkëpunuar me SHBA-në dhe NATO-n.

Afganët, tha Sveçla, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa të përfundojnë procedurat për qëndrim afatgjatë në SHBA apo në vende të treta.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara do të mbulojnë të gjitha shpenzimet për strehimin e shtetasve afganë që kanë bashkëpunuar me amerikanët.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shprehur të gatshme të strehojnë afganët.

Mijëra afganë dhe shtetas të huaj po evakuohen nga Afganistani, pasi më 15 gusht, militantët talibanë morën kontrollin e Kabulit.

Trupat e Shteteve të Bashkuara, që së bashku me aleatët e tjerë po ndihmojnë në evakuim nga aeroporti i Kabulit, pritet të tërhiqen nga Afganistani deri më 31 gusht./REL/

Exit mobile version