Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për operacionin e suksesshëm që rezultoi me kapjen e 20 pakove me substancë narkotike të llojit heroinë, në vlerë 200 deri 250 mijë euro.
Ai ka theksuar se krimit dhe ilegalitetit i kanë shpallur luftë në veri e në jug dhe se suksesi i radhës i policisë është dëshmi se Republika e Kosovës nuk është zonë sigurie as për kriminelët as për çfarëdo lloj krimi.
“Ndërkohë që po eliminojmë strofullin e drogës gjithandej vendit, Republika jonë po forcon gjithnjë e më shumë pikat kufitare për të ndaluar “eksportin dhe importin” e çfarëdo ilegaliteti”, ka shkruar ai në Facebook.
Njësia e antidrogës sot gjatë një kontrolli në një veturë me targa të huaja në Merdare ka gjetur mbi 10 kilogramë drogë e destinuar drejt vendeve të BE-së, në vlerë deri në 250.000 euro. Me këtë rast është arrestuar një shqiptar i Kosovës me nënshtetësi kosovare-kroate, ndërsa droga është konfiskuar.
Në cilësi të provës materiale po ashtu janë gjetur të fshehura para të fshehura në vlerë 2.500 euro dhe një telefon celular. I dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe ndaj tij pritet të caktohet masa e ndalimit 48 orë.