UBT News

Sveçla: Njëri nga sulmuesit e vrarë është truproja e Vulinit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se njëri nga tre sulmuesit e vrarë gjatë sulmit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit është Bojan Mijailoviq, truproje e shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës.

“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil”, thuhet mes reagimin e Sveçlës./UBTNews/

Exit mobile version