Me të hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID-19, filluan edhe gjobat për qytetarët të cilët nuk respektuan masat e Qeverisë së Kosovës.
Thuajse për çdo ditë policia ka shqiptuar mbi 4 mijë gjoba.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thotë se shqiptimi i gjobave po bëhet për në përputhje me ligjin e jo për inate e as për të mbledhur dënimin si formë monetare.
Sveçla në emisionin e mëngjesit të televizionit publik theksoi se masat duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim.
“I kuptoj disa tendenca për me deviju qoftë debatin apo qëllimin e mirë të institucioneve dhe policisë së Kosovës. Urdhri është jashtëzakonisht i qartë. Masat duhet të zbatohet nga të gjithë, nuk ka asnjë përjashtim. Nuk është që Policia e Kosovës e dënon këtë popull apo këtë shoqëri siç kanë dashtë disa ta prezantojnë. Policia e Kosovës është duke marrë masa në mënyrë që të sjellim një situatë tjetër ku zbatohen këto kërkesa e të cilat do ta mbronin qytetarin e këtij vendi. Nëse një qytetar ndëshkohet sepse e ka bërë një shkelje me atë ndëshkim ne sjellim edhe vetëdijesim të tij por edhe një pasqyrim për të tjerët në mënyrë që të mbrohet populli ynë. Dënimi i dikujt nuk po bëhet përshkak të dënojmë dikë as për inat e as për të mbledhur atë dënimin si formë monetare”, tha Sveçla.
Ai shtoi se kjo po bëhet në mënyrë që të respektohen masat të cilat shkencërisht janë dëshmi që sjellin zbritjen e infektimeve me këtë edhe mbrojtjen e jetës së qytetarit tonë dhe kjo nuk është e vetmja masë.