Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka folur mbi aksionin e madh të policisë me mbështetje të AKI-së, ku ka theksuar se bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujor janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.
Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M., zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D., ekspertin e gjykatës Sh. T., zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve, zyrtari i ATK G.L., si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I., të cilët kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Kosovës.
Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
Sveçla ka përgëzuar institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.
“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar. Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë”, ka thënë Sveçla./S.K/KP/
