UBT News

Sveçla arsyeton dëmtimin e pajisjeve: “Prishtina më e rëndësishme se çdo imazh”

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, është deklaruar lidhur me rastin e fundit për dëmtimin e pajisjeve në sallën e Asamblesë në Prishtinë, aty ku edhe u votua buxheti për vitin 2025.

Sveçla duke e arsyetuar këtë veprim ka thënë se rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratim të buxhetit, por siç tha ai është munduar të ndalë mikrofonin në mënyrë që të ndërpritet seanca në të cilën do të merreshin disa vendime e që janë shumë të dëmshme për qytetin.

Ai në një konferencë për media të hënën ka thënë se lidhur me këtë është i ftuar nga policia për të dhënë deklaratë.

“Rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratimin e buxhetit, për shkak se disa media e kanë potencuar këtë si gjoja shkak i votimit të buxhetit. Unë e kam ndërmarrë një veprim, bëhet fjalë për defunksionalzimin e mikrofonit, i cili në një kohë shumë të shkurtë u funksionalizua sërish. D.m.th nuk bëhet fjalë për kurrfarë vandalizmi të sallës së Kuvendit, bëhet fjalë për një veprim politik, aksion simbolik, i cili ishte i domosdoshëm në mënyrë që të paktën përkohësisht të ndërpritet ajo seancë në të cilën do të merreshin disa vendime e që janë shumë të dëmshme për qytetin dhe për banorët e Prishtinës… Po jam i ftuar (nga Policia), në ora 14:00 do të shkojë në polici për të dhënë deklaratë për këtë çështje”, tha Sveçla.

Ndërsa, u ka kërkuar falje qytetareve lidhur me imazhet nga ajo skenë, ai ka shtuar se përtej atyre pamjeve është e rëndësishme përmbajtja.

“Unë qytetarëve të Prishtinës ju kërkoj falje për imazhet të cilat janë servuar, mirëpo përtej çdo imazhi, pamje është e rëndësishme përmbajtja dhe ajo çfarë përmban veprimi im. Në këtë rast kjo ka të bëjë me ndalimin e aprovimit të planeve dhe projekteve që e ngulfasin zhvillimin e qytetit, të cilat zonat e gjelbra dhe tokat bujqësore i kthejnë në zona ekonomike, e krejt kjo për favore të oligarkëve të ndryshëm dhe si mjet kusuritje për financim të fushatave zgjedhore. Sa herë që LVV merr veprime të tilla me mikrofona të jeni të bindur se po përgatitet diçka e dëmshme ndaj qytetit, diçka e dëmshme pason. Kjo nuk është hera e parë, unë fajin e kërkoj në raport me qytetarët që kanë parë ato imazhe, mirëpo si asamblist e si qytetar i Prishtinës e kam për obligim të marrë çdo hap i cili parandalon veprimet dhe vendimet që nuk e ndihmojnë zhvillimin e qyteti, përkundrazi janë vendime që shkojnë në favor të grupeve të caktuara”, ka shtuar Sveçla.

Në anën tjetër, sekretari i Qendrës, Egzon Azemi, në këtë konferencë për media ka ftuar prokurorinë dhe gjitha organet e drejtësisë që të reagojnë siç tha ai ‘përballë pazareve milionëshe që po ndodhin në kryeqytetin e Republikës’.

“Po ftojmë prokurorinë e gjitha organet e drejtësisë që të reagojnë përballë pazareve milionëshe që po ndodhin në kryeqytetin e Republikës, në Komunën e Prishtinës. Devollët dhe biznesmenët të ndryshëm te lagjeve multimilioneshe private në kryeqytet, përveç se e kanë tashmë në dorë ekzekutivin e Komunës së Prishtinës kanë filluar një fushatë të blerjes së asamblistëve të Kuvendit komunal. Për këtë projekt të dëmshëm ka edhe figura të rëndësishme brenda LDK-së që e kundërshtojnë këtë projekt, andaj, nga këtu i lus që tash është momenti që të ngritën e të flasin kundër një projekti kaq të dëmshëm që rrezikon të ardhmen e kryeqytetit. Mirëpo, kryetari Rama me një pjesë tjetër të profitereve e klientelisteve të kësaj partie janë të gatshëm me çdo kusht të shtyjnë përpara këtë projekt. Asamblistëve të caktuar u janë ofruar tre shtëpi në këmbim të blerjes së një vote. Pra, me pak fjalë qindra, mijëra euro po jepen që të ju mundësohen përfitime multimilioneshe…Prokuroria dhe hetuesia duhet të zgjohen nga gjumi që i ka kapluar dhe t’i hetojnë këto raste skandaloze”, tha Azemi.

Pas miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, në seancën e sotme, shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla ka këputur mikrofonat nga foltoret.

Asamblistët e Vetëvendosjes zhvilluan edhe një aksion simbolik, ku vendosën banerin “Komuna e Devollëve”.

Pas tre dështimeve të miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, në seanca të jashtëzakonshme, sot me 25 vota për dhe një abstenim, është miratuar buxheti i Komunës së Prishtinës.

Exit mobile version