Inspektorati policor ka bërë të ditur se ka suspenduar një polic nga puna. I njëjti dyshohet se derisa ishte jashtë detyrës zyrtare dhe me veturë private ka goditur aksidentalisht me veturë një këmbësore.
Sipas komunikatës për media, aksidenti ka ndodhur në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq, ndërsa këmbësorja ishte duke kaluar rrugën.
Është bërë e ditur se vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë.
“Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar… Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i Trafikut Publik” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.