UBT News

Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshime se morën pjesë në tubime partiake

Policia e Kosovës me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor).

Sipas njoftimit suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.

“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se me qëllim të ruajtjes së besimit të publikut, ruajtjes së imazhit të Policisë si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe profesionalizmit të saj, duke shërbyer në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

“Policia e Kosovës me gjithë zyrtarët saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.

Exit mobile version