Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht vërtetoi dënimin ndaj Zoran Vukotic, i dënuar me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.
QKRMT mirëpret vendimin e fundit nga Gjykata Supreme e Kosovës, ku vërtetohet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotic ishte dënuar me 13 vjet burgim për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Zoran Vukotic me 10 vjet burgim, ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte rritur dënimin në 13 vjet burgim. Mbrojta e të akuzuarit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe Gjykata Supreme e refuzoj këtë kërkesë dhe përfundimisht e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin Zoran Vukotic ishte dënuar me 13 vjet burgim. Kjo shënon përfundimin e epilogut të këtij rasti dhe tani kemi të mbijetuarën e parë e cila me këmbëngulësinë e saj dhe mbështetjen e parreshtur të QKRMT-së gjatë gjithë procesit, triumfoi në të gjitha nivelet e gjykatave”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së.
Sipas njoftimit, QKRMT vazhdon t’i mbështesë dhe i inkurajon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë drejtësi.
E mbijetuara, e cila është rreth të pesëdhjetave dy vjet më parë kishte thënë se nuk është e kënaqur me dënimin. Në kushte anonimiteti u kishte bërë thirrje të gjitha grave e burrave që të kërkojnë drejtësi për krimin me të cilin u përballën dhe vuajtjet që ua shkaktuan për tërë jetën.
Ky është rasti i parë që dikush dënohet për dhunim seksual në Kosovë nga gjykatat vendore.