UBT News

Supremja lë në fuqi dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën

Paneli i Supremes në Gjykatën Speciale në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, për zbutje të dënimit prej 15 vjet burgim.

Kjo u bë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku u tha se paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 burgim përbën shkelje të së drejtës penale.

Paneli i Supremes, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova – kryetare e Gjykatës Speciale, Kristinë van den Vajngart, dhe Daniel Fransen, refuzoi edhe ankesën e zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vendimin e Gjykatës së Apelit përmes së cilit kishte ulur dënimin e Mustafës.

Në lidhje me kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz i cili kërkohet që një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata Speciale e shpalli fajtor ish-komandant Calin për krime të pretenduara të luftës.

Ai u dënua me 26 vjet burgim, ndërkaq trupi gjykues e urdhëroi atë të paguajë një shumë prej 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave në këtë rast gjyqësor.

Më vonë, Apeli e uli dënimin ndaj Mustafës në 22 vjet burgim.

Pasi Mustafa e apeloi vendimin në Supreme, kjo e fundit e anuloi vendimin prej 22 vjet burgim, ndërkaq në shtator të vitit të kaluar Apeli caktoi dënimin prej 15 vjet burgim.

Mustafa ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestua.

Exit mobile version