UBT News

Supremja konfirmon se pensionet nuk mund të suspendohen nga akte nënligjore

Gjykata Supreme ka marrë një vendim të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve, duke konfirmuar se këto të drejta nuk mund të kufizohen përmes rregullave nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve, por institucioneve përgjegjëse.

Lajmin e ka bërë të ditur hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, i cili ka vlerësuar se aktgjykimi përbën një hap të madh për mbrojtjen e të drejtave sociale, sigurinë juridike dhe zbatimin e parimit se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo masa e parë.

Gjykata ka konfirmuar se të drejtat e pensionistëve nuk mund të kufizohen me rregulla nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve”, ka shkruar Jakaj.

Në aktgjykim, Gjykata Supreme ka theksuar se “suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit (ultima ratio) dhe jo e para”, duke konstatuar se dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, që e trajtojnë moslajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë atë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.

Sipas Gjykatës, ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në vendosjen e një barre disproporcionale ndaj pensionistëve, duke riafirmuar se përgjegjësia për verifikim dhe zbatim të ligjit u takon institucioneve shtetërore dhe jo qytetarëve përfitues të pensioneve.

Exit mobile version