Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë e ka hedhur poshtë kërkesën e Haxhi Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë sa i takon mbajtjes se tij në paraburgim.
Sipas DhSK-së, më 9 shtator 2024, Paneli ka konstatuar se nuk është bërë shkelje thelbësore e procedurave nga ana e gjykatëses së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, gjykatësja e procedurës paraprake kishte urdhëruar mbajtjen e Shalës në paraburgim, por që i akuzuari e kishte dërguar këtë vendim në Apeli, e të cilin e kishte konfirmuar edhe kjo shkallë.
Më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.