Prishtina do të jetë sonte në qendër të vëmendjes së skenës muzikore ndërkombëtare, pasi nis edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival, një prej festivaleve më të mëdha të muzikës në rajon.
Mijëra adhurues të muzikës nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës pritet të marrin pjesë në natën e parë të festivalit, i cili edhe këtë vit sjell emra të njohur të industrisë muzikore.
Ylli kryesor i mbrëmjes së hapjes është superylli amerikan i muzikës pop, Katy Perry, e cila do të performojë hitet e saj më të njohura para publikut në Prishtinë. Pritjet janë që performanca e saj të jetë kulmi i natës së parë të festivalit.
Përveç Katy Perry, festivali do të ofrojë edhe performanca të artistëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të argëtimit dhe muzikës gjatë ditëve në vijim.
Sunny Hill Festival vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe muzikore në Kosovë, duke promovuar vendin në arenën ndërkombëtare dhe duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë./A.K/
