Lufta në Ukrainë është një arsye për të vepruar më shpejt për të trajtuar ndryshimet klimatike, ka thënë kryeministri britanik, Rishi Sunak në samitin e OKB-së për klimën COP27.
“Klima dhe siguria energjetike shkojnë dorë për dore”, tha ai në paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare që nga marrja e detyrës.
Udhëheqësit nga 120 vende po takohen në Sharm el-Sheikh të Egjiptit për të diskutuar hapat e ardhshëm në frenimin e ndryshimeve klimatike. Temat kryesore janë kompensimi dhe mbështetja për vendet më të prekura.
“Lufta e neveritshme e Putinit në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë në mbarë botën nuk janë një arsye për të vepruar ngadalë ndaj ndryshimeve klimatike. Ato janë një arsye për të vepruar më shpejt”, tha Sunak.
“Ne mund t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë një planet më të gjelbër dhe një të ardhme më të begatë […] Me të vërtetë ka vend për shpresë”, shtoi ai.
Në një seri fjalimesh, udhëheqësit u kërkuan vendeve të pasura që të qëndrojnë në kursin e ndalimit të ndryshimeve të mëtejshme klimatike, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe problemeve financiare globale./UBTNews/