UBT News

Sulmuan portierin e Ballkanit, Gjykata Themelore vendos masën e paraburgimit për dy tifozët e Gjilanit

Gjykata Themelore në Gjilan e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurve F. R. dhe B. K..

Të dielën që lamë pas, rreth orës 15:20 minuta në stadiumin e qytetit në Gjilan, derisa zhvillohej ndeshja e futbollit, të pandehurit e lartcekur hynë në fushën e futbollit me qëllimin për të festuar golin e barazimit.

Së bashku me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarre, i pandehuri F. R. e rrëzon për tokë portierin Stivi Frashëri, ndërsa i pandehuri B. K., vërsulet në drejtim të dëmtuarit dhe e godet me këmbë në fytyrë, me këtë rast i dëmtuari alivanoset dhe të njëjtin e dërgojnë në Emergjencën e Spitalit në Gjilan.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës, ka caktuar masën e paraburgimit, duke marrë për bazë edhe pasojat të cilat i janë shkaktuar të dëmtuarit, po ashtu edhe rrethana e kryerjes së kësaj vepre penale.

Exit mobile version