Ministria në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas incidentit të djeshëm në Berane të Malit të Zi, ku një autobus me udhëtarë nga Kosova është sulmuar me gurë. Nga ky incident nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Ministria në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga autoritetet malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, i cili nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë e rrugës së pa alternativë të të dyja shteteve për integrim euro-atlantik.
“Ambasada jonë në Podgoricë, sot, përmes një note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane. Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje, nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. I bëj thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera të kultivuara mes vendeve tona në vitet e fundit, duke marrë parasysh edhe rolin e rëndësinë e lartë të komunitetit shqiptar në Mal të Zi”, thuhet në reagim./UBTNews