UBT News

Sulmohen stacionet policore në Nigeri nga persona të armatosur

Persona të armatosur duke përdorur dinamit kanë sulmuar një stacion policie në Nigerinë juglindore, një ditë pasi dy oficerë policie u vranë në një sulm tjetër në zonë, tha policia.

Sulmet e së dielës në shtetin Imo ishin ngjarja e fundit në rajonin ku dhuna separatiste është në rritje.

“Personat e armatosur erdhën me dinamit në orët e para të ditës së sotme dhe bombarduan një pjesë të stacionit në Oru, por sulmi u zmbraps”, tha zëdhënësi i policisë së shtetit Michael Abattam për AFP.

Ai tha se katër nga sulmuesit u vranë.

“Katër nga personat e armatosur u neutralizuan dhe pesë IED (pajisje shpërthyese të improvizuara) u gjetën”.

Abattam kishte thënë të shtunën se një numër personash të armatosur me eksplozivë sulmuan stacionin e policisë Umuguma jashtë Owerrit, kryeqyteti i shtetit, duke lënë të vdekur dy policë.

Ai tha se disa persona të armatosur pushtuan gjithashtu rezidencën e profesorit George Obiozor, kreut të unionit kulturor Igbo Ohanaeze, dhe shkatërruan një pjesë të ndërtesës me eksploziv.

“Ne jemi në gjurmët e sulmuesve me synimin për t’i sjellë ata para drejtësisë” tha ai.

Presidenti Muhammadu Buhari dënoi të dielën sulmet, ndërsa u zotua t’i japë fund dhunës së vazhdueshme në rajon./UBTNews/

Exit mobile version