UBT News

Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup

Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq, ndërsa kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht nga një protestues i maskuar dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar një video ku shihet akti i dhunës.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në komunikatën e AGK-së dërguar mediave.

Aty bëhet e ditur se në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes komunikatës i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

“AGK-ja dënon ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias”, thuhet aty. 

Exit mobile version