Autoritetet në Turqi njoftuan identitetin e viktimave të një sulmi terrorist të mërkurën në selinë e Industrive Hapësinore Ajrore Turke (TAI) në kryeqytet.
Cengiz Coskun, një oficer i kontrollit të cilësisë në kompani, inxhinieri mekanik Zahide Guclu, punonjësi i TAI Hasan Huseyin Canbaz, roja i sigurisë Atakan Sahin Erdogan dhe shoferi i taksisë Murat Arslan u vranë në sulm.
Njëzet e dy persona u plagosën dhe u dërguan në spitalet e afërta për trajtim. Guclu ishte rrugës për në hyrje të kompleksit për të marrë lule të dërguara nga i shoqi kur ndodhi sulmi. Terroristët vranë Arslanin dhe e fshehën trupin e tij në bagazhin e taksisë së tij pasi hipën në automjet në një stacion taksie.
Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan të mërkurën në objektet e TAI-t në lagjen Kahramankazan të Ankarasë. Dy terroristë që sulmuan objektet u “neutralizuan”, ndërsa pesë persona u vranë dhe 22 u plagosën, tha Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e dënoi sulmin. “Unë e dënoj këtë sulm të urryer në objektet e Industrive Turke të Hapësirës Ajrore,” tha ai.
Forcat e sigurisë, zjarrfikëse dhe ndihmës mjekësorë u dërguan në zonë, ndërsa personeli i TAI u drejtua në strehimore për arsye sigurie. Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë ka nisur një hetim.