UBT News

Sulmi në tregun e Krishtlindjes, rritet presioni ndaj autoriteteve gjermane

Ministrja e Brendshme e landit të Saksonisë Anhalt ka mbrojtur masat e sigurisë të marra në Magdeburg, pak ditë pasi një person vërshoi me makinë në tregun e Krishtlindjes duke vrarë 5 persona dhe plagosur rreth 200 të tjerë. Ministrja tha se prania e policisë kishte qenë e lartë në mbarë rajonin.

Policia bëri përgatitje intensive për të siguruar tregun e Krishtlindjes në të gjithë shtetin. Në Magdeburg në veçanti ne ushtruam të gjitha të drejtat ligjore për kontrolle rutinë të valixheve dhe çantave të shpinës në tregun e Krishtlindjes, për të parandaluar aksesin me armë apo thika”, tha Tamara Zieschang, ministre e Brendshme e landit të Saksonisë Anhalt.

I dyshuari, i njohur vetëm si Taleb A., është një shtetas saudit që u zhvendos në Gjermani në 2006-n. Ai akuzohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

Por autoritetet gjermane tani ndodhen nën presion për të sqaruar përse nuk vepruan më shpejt pas informacioneve që kishin marrë mbi të vitin e kaluar.

Kreu i Policisë Kriminale Federale pranoi marrjen e informacioneve nga Arabia Saudite dhe theksoi se mori ndaj të dyshuarit masat e duhura hetimore. Por ai shtoi se të dhënat nuk ishin specifike.

Ai nuk njihej për akte të dhunshme, gjë që do të përbënte një sinjal alarmi. Në këtë aspekt unë besoj se do të na duhet të kontrollojmë sërish për të verifikuar nëse ndonjë detaj na shpëtoi nga duart”, u shpreh Holger Münch, shef i Policisë Kriminale Federale.

Edhe Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët tha se kishte marrë të dhëna për të dyshuarin verën e vitit të kaluar, por insistoi se nuk është një autoritet hetimor dhe se ia kishte kaluar informacionin zyrtarëve përgjegjës.

Ndërkohë, tregu i Krishtlindjes në Magdeburg është hapur sërish, me një prani policore të shtuar.

Exit mobile version