Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot pritet të mbahet seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit, Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, në ora 09:30.
Më 9 dhjetor të këtij viti, pak më shumë se 1 vit nga sulmi, Prokuroria Speciale pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan Viqentijeviq e Dragisha Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc”, të pandehurit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.
Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Ndërsa, i pandehuri Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Ky sulm ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut./S.K/EO/
