Një dron i armatosur goditi goditi mëngjesin e kësaj të premteje mburojën mbrojtëse të centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë. Sulmi shkaktoi dëme në strukturë dhe një zjarr të përkohshëm. Kievi fajësoi Rusinë për këtë sulm.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi çdo përgjegjësi nga ana e Rusisë. Ai e quajti të pavërtetë çdo pretendim për sulm ndaj infrastrukturës bërthamore. Peskov fajësoi Ukrainën dhe Perëndimin për sulmin, me qëllim që të pengonin përpjekjet për të nisur një proces negociatash me Presidentin rus.
Kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andrii Yermak, njoftoi se informacioni mbi sulmin do t’u dorëzohej autoriteteve amerikane gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Në një deklaratë, shefi i IAEA, Rafael Grossi, e quajti sulmin në Çernobil dhe rritjen e aktiviteteve ushtarake pranë Zaporizhzhia si një “rrezik të vazhdueshëm për sigurinë bërthamore”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti sulmin një “kërcënim terrorist për të gjithë botën”, duke theksuar se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj. Ai e akuzoi Putinin për bllokimin e mundësisë për bisedime dhe për përdorimin e objekteve bërthamore si pika sulmi në konfliktin në Ukrainë.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), nivelet e rrezatimit në centralin e mbyllur në rajonin e Kievit nuk u rritën dhe nuk ka pasur dëme në mbulesën e brendshme të uzinës.