Prokuroria Themelore në Prishtinë ka informuar sot se janë duke u zhvilluar hetime intensive për sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla. Rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Ndryshe, drejtori i gazetës “Metro” dhe gazetari Valon Syla është sulmuar mbrëmjen e së martës. Syla, që ka qenë i angazhuar në emisionin “Pressing” në T7 si analist, pas emisionit është sulmuar dhe si pasojë ka marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).