Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para kabinetit qeveritar dënoi sot sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, me ç’rast, tha se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.
“Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike, të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se sa liria e fjalës. Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e rendit, presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, u shpreh Kurti.
Valon Syla është sulmuar mbrëmjen e së martës.